Londër, Milano, Nju Jork, Barcelonë… Të gjitha koleksionet kryesore të dasmave të sezonit të ri u prezantuan për pothuajse një muaj në këto podiume të dasmave.
Por cilat janë trendet kryesore të sezonit 2020.
Si trend i parë vlen të përmendet padyshim trendi voluminoz i Rilindjes! Fustanet e kësaj epoke mishërojnë fizikun në volumin e tij, bishti i tyre ëshë i gjerë dhe simetrik, ndërkohë që gjëja më kryesore janë busti me fundin, të cilët duhet të jenë në harmoni të plotë njëri me tjetrin, të jenë proporcionalë, dhe në kombinimin e tyre duhet të respektohet ideali i «balancimit të pjesëve të veçanta të trupit të njeriut».
Në thelbin e saj, volumi në këtë sezon të ri është fokusuar më së shumti te krahët dhe shpatullat. Dizenjuesit e kanë përqëndruar vëmendjen e tyre përgjithësisht në lehtësinë dhe butësinë e pëlhurave duke theksuar në këtë mënyrë ëmbëlsinë e imazhit.

Një tjetër favorit i qartë i sezonit të ri mund të konsiderohet padyshim fundi. Në qoftë se në sezonet e kaluara theksi ka qenë përgjithësisht te mëngët dhe interpretimet e ndryshme lidhur me to, atëherë në sezonin e ardhshëm shumica e dizenjuesve na ofrojnë mundësinë ta kthejmë të gjithë vëmendjen tonë te fundi. Dhe këtu na paraqiten variacione të ndryshme të tij: rrudha, arnime, me shtresa, prerje, dhe më e rëndësishmja – pëlhura.

Tendenca tjetër e sigurt e këtij sezoni do të jetë shkurtimi i fundeve. Dhe këtu, niveli i këtij shkurtimi do të jetë aq sa vetë femra është e gatshme t’ja lejojë vetes një gjë të tillë. Prerjet e mëdha janë prezantuar pothuajse në çdo koleksion, fakt i cili e bën këtë detaj shumë popullor.

Vazhdojnë të jenë pjesë e trendit xhaketat dhe pantallonat. Kjo lloj veshje për dasma prezantohet çdo vit nga shumica e dizenjuesve, dhe në qoftë se në koleksionet e mëparshme kanë qenë prezente streçet dhe kilotat, në sezonin e ri dizenjuesit prezantojnë pantallona të gjera, pantallona kauboj dhe pantallona klasike. Xhaketat janë paraqitur gjithashtu në një version të zgjatur ose në një stil pak më të shkurtuar, të ashtëquajtur «Chanel».

Një tjetër trend sikundër janë puplat, vazhdojnë të jenë prezente në koleksionet e sezonit të ri, por në një masë më të vogël. Megjithatë, dizenjuesi i famshëm ZUHAIR MURAD në koleksionin e vitit 2020 e përdor këtë element të dekorimit mjaft shpesh, ndërkohë që në podiumin e Barcelonës, dizenjuesja CARLA RUIZ prezantoi pothuajse një koleksion të tërë të ri me këtë element.

«Krahët e ëngjëllit» ose të ashtëquajturat mëngët fluturuese ishin, në thelb të prezantimeve nëpër podiumet europiane, ndërkohë që në Nju Jork praktikisht nuk kishte detaje të tilla.

Një tjetër trend i rëndësishëm i sezonit 2020 mund të konsiderohet padyshim asimetria. Ky stil është prezantuar këtë vit në imazhe të gjalla dhe të larmishme. Dizenjuesja Vera Wang e prezantoi të gjithë koleksionin e saj të ri të dasmave në këtë stil, duke plotësuar çdo model të veshjeve me një lule të mahnitshme.

Në përgjithësi, stili romantik gjithashtu mbetet mjaft popullor. Hijet delikate të ngjyrave të trëndafilit, pjeshkës, bojëqiellit; tema e luleve në përgjithësi – mbetet ende interesante për dizenjuesit.

Vlen gjithashtu të theksohet se shumica e veshjeve të dasmave për sezonin e ri janë prezantuar në një stil minimalist. Gjithnjë e më shumë dizenjuesit preferojnë t’i japin rëndësi pëlhurave; lehtësisë dhe mbledhjes së tyre, cilësisë dhe harmonizimit. Por një gjë e tillë nuk do të thotë aspak se dantellat nuk janë më popullore. Natyrisht që dantella është konsideruar gjithmonë një element mjaft popullor, por stili i nuses moderne ndryshon shumë nën ndikimin e modës moderne dhe tendencave botërore në përgjithësi.